Google ka në plan të nxjerrë në qarkullim një protokoll të ri për shkëmbimet e të dhënave në ueb, i cili pretendohet të jetë 50% më i shpejtë se HTTP. Një postim në blog-un e Google Chromium përshkruan protokollin e ri “SPDY” i cili shqiptohet “Spidi”.
“SPDY është në thelb një protokoll i shtresës së aplikimit për transportimin e të dhënave në ueb. Është projektuar në mënyrë specifike për të minimizuar vonesat me anë të karakteristikave si e rrjedhave të shumëfishta, prioriteti i kërkesave, dhe kompresimi i paketave kokë të HTTP.”
Ekipi i Chromium, i cili kryen punën e zhvillimit të shfletuesit Chrome dhe teknologjive në lidhje me të raporton se SPDY ka mundur të ngarkojë faqet ueb 55% më shpejt se protokolli HTTP në kushte laboratorike duke përdorur lidhje rrjetesh shtëpiake. Ekipi thotë se ka si objektiv të bëjë që SPDY të jetë dyfish më i shpejtë se HTTP.
HTTP është gjuha që përdoret për momentin nga serverët dhe shfletuesit për shumicën e veprimtarisë që kryhet në ueb. Kur kërkoni një faqe, apo një skedar nga një server, me shumë gjasa shfletuesi juaj e dërgon këtë kërkesë duke përdorur HTTP. Edhe serveri i përgjigjet duke përdorur HTTP. Për këtë arsye “http” shfaqet në fillimin e shumë adresash interneti.
Propozimi i Google do përfshinte riprojektimin e metodës më të përdorur për shkëmbimin e të dhënave në ueb. “HTTP e ka shërbyer uebin shumë mirë,” shkruan autori i postimit. “Në duam të vazhdojmë të ndërtojmë mbi traditën e eksperimentimit dhe optimizmit, për evoluimin e mëtejshëm të ueb-faqeve dhe shfletuesve.” Nëse një zhvendosje kaq masive do të ndodhte do nevojitej një mbështetje e fuqishme nga aktorë të tjerë jashtë Google. Për këtë qëllim, kompania po bën publike dokumentacionin e etapave fillestare dhe kodin për SPDY bashkë me kërkesën për reagime.
Mund të duket një lëvizje e vrullshme, por ekipi i Chromium duket se i preferon sfidat. Në shtator, i njëjti grup ka nxjerrë në qarkullim shtojcën për Internet Explorer “Chrome Frame”, i cili integron shfletuesin e Google brenda atij të Microsoftit, duke u mundësuar përdoruesve të hapin faqe që Internet Explorer nuk do i përballonte dot normalisht.